Press Online
ANALIZAOP/ED

17 shkurti i vitit 2008 i barasvlershëm me 28 nëntorin 1912

-Shqipëria, 17 shkurtin duhet ta shpallë festë zyrtare.

Nga Jusuf Buxhovi

Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.

Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999. Ky proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë: atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes luftës kaçake në vitet 1912-1924); të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) ; të iredentizmit ideologjik – nga viti 1945-1968 në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, si dhe atë për barazi e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra Lëvizjes Kombëtare në vitet 1989-1999, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe faktorëve të tjerë të përfshirë në të, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, që mori epilogun përfundimtar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, më 7 shtator në Kuvendin e Kaçanikut, Referendumi për Pavarësi i 24 shkurtit 1991, zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, formimi i Qeverisë së Kosovës ia krijuan platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.

Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912. Bota shqiptare ka arsye që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.

Ky veprim, formulën e bashkimit kombëtar e konverton në atë të unionit të të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor.

Lajme të ngjashme

A mund të shlyhet e kaluara!

Press

Albin Kurti aktivist u shndërrua në burrështeti!

Press

Kush për çka / Max Weber: Kapitalizmi

Press

Historiografia jonë ka nevojë për korrigjime dhe rishkrim

Press

“Marrëveshja në Ohër, mund të hapë edhe dilema të reja”

Press

Raportimi mediatik për vrasjet në “Shisha Bar” të Shkupit, i ngarkuar me dezinformata dhe sensacionalizëm

Press