Press Online
AKTUALEANALIZA

“Marrëveshja në Ohër, mund të hapë edhe dilema të reja”

Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, të shtunë, në Ohër, do të diskutojnë marrëveshjen për planin e zbatimit për normalizimin e marrëdhënieve. Nuk dihet nëse do të nënshkruhet ndonjë marrëveshje. E, në rast se ka firmosje të ndonjë marrëveshjeje, e njëjta mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Por, shqyrtimi eventual i kushtetutshmërisë është çështje diskutabile, thonë njohës të së drejtës kushtetuese.

Pas takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen këtë të shtunë në Ohër, në kuadër të procesit të dialogut. Në takim do të diskutohet për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka dy shtetet u pajtuan më 27 shkurt.

Nëse do të nënshkruhet ose jo propozimi evropian dhe udhërrëfyesi për zbatimin e tij mbetet të shihet. Por, një çështje diskutabile është nëse ujdia eventuale mund të dërgohet në Kushtetuese për interpretim.

Eksperti i së drejtës kushtetuese, Mazllu Baraliu, thotë për Radio Kosovën se, nëse marrëveshja nuk nënshkruhet nga Kosova dhe Serbia, e njëjta nuk mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. E, në rast se palët firmosin, dokumenti mund të dërgohet në Kushtetuese.

“Presidentja, kryeparlamentari, deputetët e qeveria kanë të drejta të ndërmarrin iniciativa në Gjykatë Kushtetuese. Pastaj, varet nga ajo nëse e trajton ose jo. Por, një çështje tjetër e rëndësishme është se, është diskutabile nëse marrëveshjet ndërkombëtare mund t’i trajtojë apo jo kushtetuesja, për arsye se ashtu siç janë paraparë në Kushtetutën e Kosovës, ato janë faktikisht mbi ligjet tona”, tha ai.

Nga ana e tij, Kushtrim Istrefi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Holandë, i tha Radio Kosovës se nëse marrëveshja ratifikohet në Kuvend, rishikimi saj është mjaft i vështirë.

“Në momentin e ratifikimit atëherë do ketë vështirësi për rishikimin e marrëveshjes ndërkombëtare. Por, eventualisht nëse ka nevojë të bëhet një interpretim i tillë, mund të jetë ngjashëm me atë të vitit 2015, që ta zëmë parashihet që të bëhet një vlerësim kushtetues para hyrjes në fuqi të statutit të asociacionit. Një gjë e tillë mund të kërkohet meqë është në përputhshmëri me praktikën paraprake. Por, varet se si do të diskutohet dhe si do të vendosin palët”, tha ai.

Në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, askund nuk përmendet njohja e Kosovës. Direkt nuk përmendet as Asociacioni i komunave me shumicë serbe, krijimi i të cilit po kërkohet.

Ndërkohë, opozitarë e akterë tjerë në vend, mes tjerash, janë të shqetësuar me pikën 7 të propozimit të BE-së, i cili parasheh që Kosova të sigurojë një nivel të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Shaqiri: Konviktet studentore do të rinovohen urgjentisht, matura shtetërore do të mbahet në kohë

PRESSonline.mk

Të gjithë për “Frontin për Europë”, përveç VMRO-së dhe Levicës!

Press

“Nuk ka Qeveri pa shqiptarët, VMRO-DPMNE-ja e humbi partnerin e vetëm, ASH-në”, tha Osmani

Press

Grubi: Jam realist, votat për Ndryshimet Kushtetuese do të sigurohen

Press

Kovaçevski në takim me ambasadoren amerikane: Partneriteti ynë strategjik me SHBA-në po forcohet

Press

Në burgun e “Idrizovës” është gërmuar tunel për arratisje si në filma

Press